REPUBLIKA E SHQIPËRISË

INSTITUCIONI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

______________________________________________________________________________

NJOFTIM PËR VEND PUNE

SHPALLJE PËR PLOTËSIMIN E VENDIT TË LIRË PËR KATEGORINË E ULËT DREJTUESE

Për të dyja procedurat (lëvizje paralele, ngritje në detyrë ) aplikohet në të njëjtën kohë!

Pozicioni i punës, i ofrohet fillimisht nëpunësve civilë të së njëjtës kategori për procedurën e lëvizjes paralele! Vetëm në rast se në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele, rezulton se ky pozicion është ende vakant, ai është i vlefshëm për konkurrimin nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë.

Në zbatim të nenit 26, të ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, si dhe të Vendimit                    nr. 242, datë 18/03/2015, të Këshillit të Ministrave, “ Për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese”, Institucioni i Presidentit të Republikës, shpall procedurën për plotësimin e vendit vakant:

Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore dhe Përpunimit të Informacionit

Drejtorisë Juridike, Sigurisë dhe Burimeve Njerëzore

Kategoria e pagës III-a

 

Përshkrimi i punës për pozicionin si më sipër është:

  • Kryen administrimin e burimeve njerëzore në përputhje me legjislacionin në fuqi për nëpunësin civil, Kodin e Punës dhe Kodin e Procedurave Administrative.
  • Kryen procedurat e nevojshme për realizimin e përshkrimeve të punës, vlerësimit të rezultateve në punë, masat disiplinore, pezullime, trajtimit të rasteve të konfliktit të interesit.
  • Administron regjistrin e personelit sipas akteve ligjore në fuqi duke pasqyruar të gjitha të dhënat për secilin punonjës, si dhe ndryshimet përkatëse.
  • Trajton dhe përpunon korrespodencën e ardhur në institucion nga kërkesat dhe ankesat e publikut apo organizatat jo publike drejtuar Presidentit të Republikës duke komunikuar me institucionet shtetërore për adresimin e problematikave të ngritura.
  • Merr pjesë në grupe pune/komisione të ndryshme të ngritura nga titullari në kuadër të zhvillimit të aktivitetit të institucionit.

 

Kandidati duhet të plotësojë këto kritere:

  1. Të plotësojë kushtet e përgjithshme të ligjit nr. 153/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
  2. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje si dhe të mos ketë procese gjyqësore, penale, administrative të cilat janë në proces dhe të mos jetë në ndjekje penale nga Prokuroria;
  3. Të zotërojë Diplomë të Nivelit të Dytë ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat që janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
  4. Preferohet eksperiencë pune 5 vjeçare në fushën e administrimit të burimeve njerëzore.
  5. Të ketë certifikatë apo dëshmi të mbrojtjes së gjuhës angleze ose një nga gjuhët zyrtare të BE.

 

 

Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë mbi të cilat do të zhvillohet konkurrimi.

 

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:

  1. Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë
  2. Legjislacionin që rregullon organet dhe funksionimin e administratës publike (ligji nr. 90/2012 “Për organet dhe funksionimin e administratës shtetërore” dhe Vendimet e Këshillit të Ministrave në zbatim të tij)
  3. Legjislacionin që rregullon organet dhe funksionimin e organeve kushtetuese, në Republikën e Shqipërisë
  4. Detyrimet e Shqipërisë në aderimin në BE
  5. Legjislacionin për konfliktin e interesit dhe parandalimi i tij
  6. Legjislacionin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimit financiar të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë.
  7. Legjislacionin për nëpunësin civil (ligji nr. 152/2013, i ndryshuar dhe Vendimet e Këshillit të Ministrave në zbatim të tij.
  8. Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë
  9. Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë
  10. Ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, (Nr. 9887, datë 10.03.2008, i ndryshuar)
  11. Legjislacionin për rregullat e etikës në administratën publike (ligji nr. 9131, datë 08.09.2003)
  12. Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” (i ndryshuar)

 

 

Kushte të përgjithshme:

  • Kandidimi do të kryhet sipas parashikimeve të ligjit nr. 152/2013 “ Për nëpunësin civil” i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në fuqi.
  • Kandidatët duhet të sigurohen se plotësojnë kriteret për t’u pajisur me Certifikate Sigurie, sipas Vendimit Këshillit Ministrave nr. 188, datë 04.03.2015.
  • Kandidatët duhet të kenë aftësi për t’u përshtatur e punuar në grup, nën presion, si dhe në afate kohore të limituara.

 

Afati për dorëzimin e dokumenteve për lëvizjen paralele është 06/06/2019.

 

Afati për dorëzimin e dokumenteve për ngritjen në detyrë është 13/06/2019.

 

Dokumentet mund të dorëzohen, pranë Institucionit të Presidentit të Republikës ose me postë, në adresën Blv. “Dëshmorët e Kombit, nr.1, Tiranë” .

 

Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati duhet të dorëzojë edhe 1 kopje të dokumenteve të mëposhtme:

  1. Jetëshkrimi profesional, përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike zyrtare dhe adresën postare;
  2. Kopje të njehsuar të dokumenteve (diplomë, listë notash, letërnjoftimi (ID), librezë pune). Diplomat që janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi;
  3. Vërtetim i Gjendjes Gjyqësore, si dhe vërtetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, që vërteton se në ngarkim të tij nuk është regjistruar një procedim penal;
  4. Vërtetim nga institucioni ku është i punësuar që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  5. Kopje e njehsuar e 2 vlerësimeve të fundit të punës;
  6. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton plotësimin e kushteve të mësipërme, si dhe trajnime, kualifikime, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.

 

Mënyra e vlerësimit të kandidatëve

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe certifikimin pozitiv ose për vlerësimet e rezultateve individuale në punë në rastet kur procesi i certifikimit nuk është kryer. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 40 pikë.

 

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

a – Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;

b – Eksperiencën e tyre të mëparshme;

c – Motivimin, aspiratat dhe pritshmërinë e tyre për karrierën;

Totali i pikëve për këtë vlerësim është 60 pikë.

 

Data e daljes së rezultateve të konkurrimit dhe mënyra e komunikimit

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Institucioni i Presidentit të Republikës do t’i njoftojë ata individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail-it). Institucioni i Presidentit të Republikës do të shpallë fituesin në faqen zyrtare dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.

Të gjithë kandidatët që aplikojnë për procedurën e ngritjes në detyrë, do të marrin informacion në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës, për fazat e mëtejshme të kësaj procedure.